Familja e këngëtarit të ndjerë, Liam Payne, janë ‘tërësisht të shkatërruar’ pas vdekjes tragjike të 31-vjeçarit.

Mediat e huaja shkruajnë se ish-ylli i “One Direction” pësoi një frakturë të kafkës pasi u rrëzua nga kati i tretë i hotelit “CasaSur Palermo”, në Buenos Aires. Ngjarja e rëndë ka ndodhur pak pas orës 17:00 të ditës së djeshme.

Ndërkohë një anëtar i familjes tha për “MailOnline”: “Ne jemi krejtësisht të shkatërruar nga lajmet”.

Motrat më të mëdha të Payne, Nicola dhe Ruth, mbërritën në shtëpinë në Codsall herët këtë mëngjes. Muzikanti u rrit në Wolverhampton nga nëna e tij Karen, një infermiere, dhe babai Geoff dhe kishte dy motra më të mëdha, Nicola dhe Ruth.

Kujtojmë se Liam Payne vdiq menjëherë nga lëndimet e shumta, duke përfshirë një kafkë të thyer, pasi ai ra 45 metra nga ballkoni i hotelit në Buenos Aires.

Kreu i shërbimeve të urgjencës në Buenos Aires, Alberto Crescenti, zbuloi se këngëtari kishte një “frakturë kraniale dhe lëndime jashtëzakonisht të rënda që çuan në vdekjen e tij të menjëhershme”.

Identiteti i tij u konfirmua nga shërbimet e urgjencës duke kontrolluar pasaportën e tij, por policia nuk ka ende prova përfundimtare në lidhje me rrethanat e rënies së tij.