Një ngjarje e rëndë ka tronditur opinionin publik në Spanjë, ku 25-vjeçarja Noelia Castillo ka ndërruar jetë pasi iu nënshtrua eutanazisë, ndërsa rasti i saj po shoqërohet me pikëpyetje të forta.

E reja vuante nga pasoja të rënda fizike pasi kishte mbetur e paralizuar pas një tentative për vetëvrasje, e cila sipas raportimeve lidhej me një traumë të mëparshme. Megjithatë, në ditët e fundit të jetës, ajo dyshohet se kishte shprehur hezitime për procedurën.

Sipas familjarëve dhe avokatëve, ekzistojnë dyshime se vendimi për eutanazi mund të jetë ndikuar nga fakti se organet e saj ishin parashikuar për dhurim. Në disa deklarata thuhet se procedura nuk mund të shtyhej për shkak të planifikimit të transplantit.

Një tjetër element që ka shtuar polemikat është pretendimi se institucionet dhe personeli i përfshirë në proces përfitojnë financiarisht nga transplantet, çka ka ngritur shqetësime për konflikt interesi.

Autoritetet dhe organizatat përkatëse pritet të hetojnë më tej rastin, ndërsa debati mbi etikën e eutanazisë dhe sistemin e dhurimit të organeve është rikthyer fuqishëm në qendër të vëmendjes.