Fëmijët e regjisorit legjendar Rob Reiner dhe bashkëshortes së tij Michele Singer Reiner, Jake dhe Romy Reiner, kanë reaguar publikisht për herë të parë pas vrasjes së tmerrshme që tronditi Hollywood-in.

Në një deklaratë për PEOPLE, Jake dhe Romy shprehen se po përjetojnë një dhimbje të pamatshme.

“Fjalët nuk mund të përshkruajnë dhimbjen e paimagjinueshme që po ndjejmë çdo moment të ditës. Humbja shkatërruese e prindërve tanë është diçka që askush nuk duhet ta përjetojë. Ata nuk ishin vetëm prindërit tanë, por edhe miqtë tanë më të mirë”, thuhet në deklaratën e publikuar nga PEOPLE.

Gjithashtu ata falënderuan publikisht të gjithë ata që u kanë qëndruar pranë në këto momente të errëta, duke kërkuar privatësi dhe respekt.

“Lutemi që spekulimet të trajtohen me mëshirë dhe humanizëm dhe që prindërit tanë të kujtohen për jetët e jashtëzakonshme që kanë jetuar dhe dashurinë që kanë dhënë”, vijon deklarata e Jake dhe Romy Reiner.

Ndërkohë, prokuroria e Los Angeles ka ngritur dy akuza për vrasje në shkallë të parë ndaj Nick Reiner, vëllait të tyre, i cili dyshohet se ka qëlluar për vdekje prindërit e tij në rezidencën familjare më 14 dhjetor.

Sipas autoriteteve, trupat e Rob dhe Michele Reiner u gjetën në dhomën e tyre të gjumit. Raportimet tregojnë se Romy ka zbuluar trupin e të atit dhe është larguar nga shtëpia pa e ditur se edhe nëna e saj ishte viktimë e sulmit.

Burime pranë hetimit kanë zbuluar për PEOPLE se disa orë para krimit, Rob dhe Nick kishin pasur një konflikt të ashpër verbal gjatë një feste të organizuar nga Conan O’Brien.