Një ngjarje tragjike ka goditur familjen e fituesit të “Big Brother VIP Albania 4”, reperit Gjesti. Vëllai i tij, Eldion Kelmendi, ka ndërruar jetë pasditen e sotme si pasojë e një aksidenti të rëndë rrugor në fshatin Qungur të Pejës.

Sipas informacioneve të para, aksidenti ndodhi rreth orës 14:00, kur një motor u përplas me një veturë. Eldioni, që drejtonte motoçikletën, humbi jetën në vendngjarje, ndërsa një tjetër person banor i zonës, me inicialet K.B. mbeti i plagosur rëndë dhe po merr trajtim mjekësor në Spitalin e Pejës.

Policia dhe autoritetet përkatëse kanë nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave të plota të aksidentit.

Një detaj që ka prekur thellë ndjekësit, është një postim i motrës së Eldionit, Blerina Kelmendi, vetëm 20 orë para tragjedisë, ku ajo kishte shpërndarë disa foto me të, shoqëruar me dy emoji engjëjsh një simbolikë që tani shihet si ogur i dhimbshëm dhe ka shkaktuar shumë reagime të trishtueshme në rrjetet sociale.

Eldioni ishte mjaft i lidhur me vëllain e tij, Gjesti, dhe ishte pjesë e disa momenteve kyçe në jetën publike të tij, përfshirë edhe surprizën në shtëpinë e Big Brother VIP, ku u shfaq për ta mbështetur publikisht.

Deri më tani, Gjesti nuk ka reaguar publikisht, por ndjekësit dhe figura të njohura të ekranit kanë nisur të shprehin ngushëllimet e tyre për humbjen e rëndë që ka goditur familjen Kelmendi.