Një studim i ri sugjeron se ejakulimi më i shpeshtë mund të ketë ndikim pozitiv në cilësinë e spermës, duke sfiduar këshillat tradicionale që rekomandojnë abstinencë për disa ditë përpara tentativave për konceptim. Ndryshe nga gratë, të cilat lindin me një numër të kufizuar vezësh që plaken me kalimin e kohës, burrat prodhojnë spermë vazhdimisht që nga puberteti.

Kjo do të thotë se mosha e një burri nuk është domosdoshmërish e njëjtë me “moshën” e spermës së tij. Sipas studimit, edhe pse abstinenca rrit sasinë e spermës, ajo mund të dëmtojë cilësinë. Spermatozoidet që qëndrojnë për periudha të gjata në traktin riprodhues “plaken”, duke humbur aftësinë për të lëvizur dhe për të mbijetuar, ndërsa rritet edhe dëmtimi i ADN-së së tyre.

Analiza u bazua në të dhëna nga 115 studime të publikuara, që përfshijnë rreth 55 mijë burra. Rezultatet treguan se gjatë abstinencës së zgjatur, lëvizshmëria dhe vitaliteti i spermës bien ndjeshëm. Dy faktorë kryesorë shpjegojnë këtë fenomen: stresi oksidativ, një proces biologjik që dëmton qelizat, dhe mungesa e energjisë, pasi spermatozoidet janë qeliza shumë aktive me kapacitet të kufizuar për të rikuperuar energjinë.

Ndërkaq, një studim i ri ka zbuluar se lëvizshmëria e spermës, aftësia e saj për të notuar në mënyrë efektive është më e lartë gjatë muajve të verës dhe më e ulët në dimër, pavarësisht ndryshimeve klimatike. Kërkimi, i publikuar në revistën shkencore Reproductive Biology and Endocrinology, analizoi mostra të spermës nga 15 mijë e 581 burra të moshës 18–45 vjeç në Danimarkë dhe Florida.