E ftuar në studion e “Live From Tirana” ka qenë blogerja Anxhi Çeliku. Ajo na ka sugjeruar disa nga destinacionet e saj më të preferuara për t’u vizituar gjatë festave të fundvitit, në Shqipëri por edhe jashtë…
Cilat janë vendet më të bukura në Shqipëri për t’u vizituar gjatë kësaj periudhe?
Do e nisja me Shkodrën. Një vend që unë shkoj çdo dimër është Razma, është shumë bukur. Me një ndalesë në Shkodër dhe kthimin pastaj për në Tiranë. Ka kulinari të mirë dhe për ata të apasionuarit pas ushqimit. Razma i plotëson të gjitha kushtet e dimrit.
Më pas do të shkojmë në Përmet. Jam habitur për mirë me të. Është një nga gabimet më të mëdha ta vizitosh Bënjën gjatë verës. Të shkosh aty në dimër, është komplet e veçuar, nuk ka shumë njerëz dhe ke komplet Nemërçkën e mbuluar me borë. Është diçka shumë magjike.
Korça është një nga destinacionet më të vizituara në dimër. Por unë do vizitoja një nga këto fshatrat turistik, Dardha, Voskopoja ose Vithkuqi. Është shumë bukur.
Do zgjidhja po ashtu Valbonën, është shumë bukur me malet mbuluar me borë. Më mbush me kënaqësi kjo pjesë.
Po jashtë Shqipërisë, cilat vende do të sugjeroje?
Para dy vitesh isha në Afrikë në fillim viti. Ishte jashtë sezonit turistik të lartë, kur çdo gjë është shumë e shtrenjtë. Kur flet me familjarët që janë mbuluar me kapuç dhe shall dhe ti je me rroba banje e arrë kokosi në dorë, është e bukur dhe e çuditshme. Ia vlen të shkosh.
Pastaj magjia që ka Praga dhe Vjena është e papërsëritshme. Ndihesh e lumtur dhe pa pasur arsye. Ka shumë njerëz gjatë Krishtlindjeve, por mendoj se këto janë vende që kanë njerëz gjatë gjithë vitit. Një destinacion tjetër është dhe Këlni. Kur shikon atë katedralen pyet veten a është e vërtetë apo jo. Është një nga destinacionet që ia vlen të vizitohet. Më pëlqen shumë dhe Lapland në Norvegji, të zhytesh në ujë të ftohtë akull, që është një nga gjërat më të shëndetshme sepse stimulon qarkullimin e gjakut. Por mendoni dhe ato drerët dhe slitat, sikur ekziston Babagjyshi (qesh). Magjia e festave mendoj se është aty./TAR

