Pas një pauze të gjatë që ka mbajtur miliona fansa në pritje, BTS pritet të rikthehet fuqishëm në skenën e “American Music Awards”, këtë herë si grup i plotë, duke ndezur menjëherë spekulime dhe emocion në industrinë muzikore.
Grupi ikonë i K-pop është nominuar në disa prej kategorive më të rëndësishme të ceremonisë, përfshirë Artistin e Vitit, Artistin më të Mirë K-pop dhe Këngën e Verës, duke u vendosur përballë emrave gjigantë të muzikës botërore.
Burime pranë organizatorëve bëjnë me dije se kjo do të jetë një nga paraqitjet më të rralla të tyre në vitet e fundit, duke shënuar rikthimin e parë si grup i plotë në AMAs pas gati katër vitesh mungesë.
Ndërkohë, fansat po flasin edhe për surprizat e mundshme që mund të sjellë grupi në skenë, sidomos pas publikimit të albumit të tyre më të ri “ARIRANG”, i cili ka ngjallur reagime të forta në rrjet.
Kënga “SWIM”, e përfshirë në projekt, ka siguruar gjithashtu një nominim në kategorinë “Kënga e Verës”, duke e forcuar më tej rikthimin e tyre në qendër të vëmendjes globale.
Me 12 fitore në historinë e tyre në “American Music Awards” dhe me një reputacion që ka thyer rekorde ndërkombëtare, rikthimi i BTS po konsiderohet tashmë si një nga momentet më të mistershme dhe më të pritura të sezonit muzikor.
