Këngëtarja me famë botërore, Mariah Carey, është rikthyer fuqishëm në skenën e “MTV Video Music Awards”. Artisja bëri bujë me paraqitjen e saj që la publikun pa fjalë.

Ylli i muzikës u shfaq me një veshje spektakolare që vlen sa një pasuri. Pavarësisht se ajo mungoi në tapetin e kuq, 56-vjeçarja u shfaq papritur në skenë për të interpretuar disa nga hitet më të mëdha të karrierës së saj dhe për të pranuar çmimin prestigjioz “Video Vanguard”.

Por ishte kostumi i saj i tejmbushur me kristale ari ai që vodhi vëmendjen, një fustan trupor me korse të ngushtë, kombinuar me çizme të larta me shkëlqim.

Krejt pamja u plotësua nga një koleksion bizhuterish diamanti me vlerë marramendëse. Gjerdani “Rosee Eternelle” prej 204.38 karatësh, i dizenjuar nga Levuma, ishte qendra e vëmendjes, së bashku me vathët në formë llambadar, që së bashku kushtojnë rreth 10 milionë dollarë, sipas burimeve të “PageSix”.

56-vjeçarja kishte zgjedhur gjithashtu disa byzylykë prej diamanti nga Etho Maria (72.15 karatësh) dhe Hamilton (37.62 karatësh), si dhe një unazë diamanti 3.25 karatësh.

Artistja e famshme e pranoi çmimin me buzëqeshje dhe elegancë, duke u bërë fituesja më e vjetër ndonjëherë e “Video Vanguard”, por ndoshta edhe më e shndritshmja. Një natë ku moda, muzika dhe legjenda u bënë një.