Në moshën vetëm 10-vjeçare, stilisti i ri amerikan Max Alexander ka hyrë në histori si stilisti më i ri që ka prezantuar një koleksion në Javën e Modës në Paris. Vogëlushi prezantoi koleksionin “Max Alexander Women’s Ready-to-Wear Fall/Winter 2026-2027” në ambientet e njohura të Palais Garnier në Paris. Sipas disa mediave ndërkombëtare, përfshirë CBS dhe Vogue, kjo e bën atë stilistin më të ri që ka prezantuar ndonjëherë në këtë event të rëndësishëm të modës.
Alexander ka filluar të merret me qepje dhe dizajn që në moshën 4-vjeçare, ndërsa koleksioni i tij i fundit përfshin 15 veshje, të frymëzuara nga lulet dhe të realizuara kryesisht me materiale të qëndrueshme. “Rreth 90% e tyre janë bërë nga materiale të qëndrueshme dhe janë frymëzuar nga lulet. Kam përdorur materiale të mbetura, teprica, çanta të ricikluara dhe pëlhura biodegraduese”, tha Alexander.
Sipas tij, krijimi i koleksionit i mori rreth gjashtë muaj punë. Ndër veshjet më të veçanta ishte një fustan me korse i bërë nga një parashutë ushtarake franceze e ricikluar, si dhe një sari vintage që stilisti e ridizajnoi.




