Kimi Antonelli ka hyrë në historinë e Formula 1! Në moshën vetëm 20-vjeçare, piloti italian i Mercedesit ka fituar titullin kampion bote, duke vendosur një rekord të ri si kampioni më i ri në historinë e këtij sporti.
Antonelli siguroi triumfin në Çmimin e Madh të Meksikës, ku përfundoi garën në vendin e tretë, mjaftueshëm për të vulosur titullin botëror. Fitorja e garës i takoi Max Verstappen, ndërsa Lewis Hamilton u rendit i dyti.
Me këtë sukses, italiani theu rekordin e Sebastian Vettel, i cili ishte shpallur kampion për herë të parë në moshën 23-vjeçare. Ai bëhet gjithashtu italiani i parë që fiton titullin që prej Alberto Ascari në vitin 1953.
Por përtej triumfit në pistë, vëmendje kanë marrë edhe detajet e jetës së kampionit të ri dhe sakrificat që familja e tij ka bërë për ta ndihmuar të arrijë këtë pikë.
Në një intervistë për Corriere della Sera, prindërit e tij, Veronica dhe Marco Antonelli, kanë rrëfyer rrugëtimin e familjes, i cili ka qenë larg luksit që mund të imagjinohet për një kampion të Formula 1. Një prej detajeve më të veçanta është se nëna e tij vazhdon t’i japë çdo muaj para xhepi, me një buxhet të përcaktuar që duhet ta menaxhojë vetë.
“Ia jap çdo muaj dhe duhet t’i dalë”, ka treguar Veronica, duke shtuar se as suksesi dhe fama nuk e përjashtojnë të birin nga rregullat e familjes.
Ndërkohë, babai Marco ka treguar se dikur ishte detyruar të merrte kredi në bankë për të përballuar shpenzimet e garave të tij.
“Kam punuar sa për tri jetë. Nuk më mbetej asnjë para mënjanë”, ka rrëfyer ai, duke kujtuar sakrificat për të financuar pasionin për automobilizmin.
Kimi u rrit mes makinave dhe pistave. Që në moshën njëvjeçare ulej në kart me të atin, ndërsa në moshën trevjeçare kishte filluar të përdorte simulatorin e garave.

