Një video e filmuar vetëm një natë para vdekjes së tij po sjell një tjetër moment tronditës në historinë e fundit të Presley Gerber. Modeli 27-vjeçar, djali i Cindy Crawford dhe Rande Gerber, shfaqet në pamjet e siguruara ekskluzivisht nga TMZ brenda qendrës së rehabilitimit në Santa Monica, ku kishte shkuar për trajtim vetëm pak ditë para se të humbte jetën.

Në video, Presley filmon fillimisht veten. Ai shfaqet me një kanotiere të bardhë, syze të zeza dhe një varëse argjendi. Më pas, kamera zhvendoset drejt ambientit ku po qëndronte, duke treguar dhomën me disa krevate dhe një ballkon me pamje nga qyteti. Por ajo që e bën videon edhe më të dhimbshme është fakti se pamjet janë filmuar të shtunën në mbrëmje, më 19 shtator, vetëm disa orë para se Presley të gjendej i pajetë.

Të nesërmen, më 20 shtator, autoritetet u thirrën në qendrën Resolutions Living pas një raportimi për “arrest kardiak” dhe “mbidozë”. Presley ndërroi jetë në moshën 27-vjeçare, ndërsa shkaku zyrtar i vdekjes ende nuk është bërë publik.

Burime pranë tij kanë treguar se Presley kishte hyrë në qendrën e rehabilitimit pikërisht gjatë atij fundjave. Një prej tyre pretendoi se në ditët para vdekjes ai “nuk dukej si vetvetja”, duke shtuar se diçka dukej ndryshe tek ai.

Qendra ku Presley po qëndronte është një rezidencë luksoze me vlerë rreth 7.7 milionë dollarë, e pajisur me palestër, kinema, kuzhinë dhe ambiente me pamje nga qyteti dhe malet. Programi i trajtimit përfshinte disa faza të rikuperimit dhe aktivitete të fokusuara në përballimin e varësisë dhe ndërtimin e një rutine të re.

Vdekja e papritur e Presley-t ka lënë të shkatërruar familjen Gerber-Crawford. Motra e tij, Kaia Gerber, me të cilën kishte një lidhje shumë të ngushtë, thuhet se po e përjeton jashtëzakonisht rëndë humbjen.