Aktorja e njohur, Helen Mirren ishte viktimë e një sulmi të egër verbal në një rrugë të Londrës. Aktorja 80-vjeçare po ecte me bashkëshortin e saj, Taylor Hackford, kur iu afrua një burrë i panjohur. Ajo i buzëqeshi dhe e pyeti nëse ishte mirë, fillimisht duke menduar se ishte një fans i saj. Megjithatë, situata doli jashtë kontrollit kur ai filloi të bërtiste, duke e quajtur atë një “kurvë të ligë sioniste”.

“Je një kurvë e ligë sioniste. Dhe ti (Z. Hackford) gjithashtu, të mallkuar,” dëgjohet të thotë burri në një video që u bë virale. Burri i aktores ndërhyri, duke i kërkuar burrit të largohej.

Sulmi lidhet me mbështetjen e hapur të Helen Mirren për Izraelin. “Unë besoj në Izrael, në ekzistencën e Izraelit dhe besoj se Izraeli duhet të ecë përpara “, tha ajo në një intervistë. Muajin e kaluar, ajo madje nënshkroi një peticion me artistë të tjerë, përfshirë Mila Kunis, Sharon Osbourne dhe Amy Schumer, në favor të pjesëmarrjes së Izraelit në Festivalin e Këngës në Eurovision.