Përfaqësuesja e Kilit në konkursin e bukurisë Miss World, Ignacia Fernández, u bë virale me paraqitjen e saj shpërthyese në skenë kur zgjodhi të këndonte ‘heavy metal’.
Këngëtarja 27-vjeçare e grupit death metal “Decessus” doli në skenë e veshur me një fustan të zi mbrëmjeje dhe një kurorë dhe nuk hezitoi të performonte një këngë, ndërsa Carlos Palma e shoqëroi në kitarë. Prania e saj mori duartrokitje të zjarrta dhe i siguroi asaj një vend në 20 finalistet më të mira, në finalen e planifikuar për 9 nëntor.
Në rrjetet sociale, Ignacia Fernández u lavdërua për guximin e saj në “thyerjen” e stereotipeve tradicionale rreth bukurisë dhe feminitetit. Komente si “më në fund, dikush po thyen stereotipet e asaj që është femërore” dhe “duke vërtetuar se mund të jesh e bukur, femërore dhe këngëtare e rrymës ‘heavy metal’ në të njëjtën kohë” vërshuan komentet në internet.
Ajo postoi në llogarinë e saj personale në Instagram se muzika ‘heavy metal’ është “një pjesë themelore e personalitetit të saj, një burim force dhe qëllimi”, duke shtuar se mundësia për të shprehur këtë pasion në televizionin publik ishte diçka që ajo e vlerëson thellësisht.
