Një incident i frikshëm është regjistruar në Disneyland Park, ku një vizitor 13-vjeçar ra nga atraksioni ujor “Tiana’s Bayou Adventure”, duke shkaktuar panik te vizitorët dhe ndërhyrjen e menjëhershme të stafit të parkut. Sipas informacioneve të publikuara, ngjarja ndodhi kur adoleshenti ndodhej në pjesën e pasme të vagonit dhe po i afrohej zbritjes kryesore të atraksionit, nga një lartësi prej rreth 15 metrash. Dyshohet se ai tentoi të ngrihej ose të dilte nga vendi i tij, duke humbur ekuilibrin dhe duke rënë në ujë.

Menjëherë pas incidentit, funksionimi i atraksionit u pezullua, ndërsa ekipet e emergjencës dhe punonjësit e parkut ndërhynë për t’i dhënë ndihmën e parë të miturit. 13-vjeçari u transportua në një spital lokal për kontrolle mjekësore dhe sipas raportimeve, u largua pak kohë më vonë pa pasur nevojë për shtrim.

Atraksioni “Tiana’s Bayou Adventure” qëndroi i mbyllur përkohësisht derisa u kryen kontrollet e sigurisë dhe u rihap të hënën, pasi u inspektua nga autoritetet përkatëse. Dëshmitarë okularë e përshkruan ngjarjen si tronditëse. Autoritetet dhe drejtuesit e parkut vijojnë hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa deri më tani nuk janë raportuar lëndime serioze.