Foka elefant e njohur si Neil, e cila u bë sensacion në rrjetet sociale pasi bllokoi rrugë, shkatërroi tabela dhe tërhoqi qindra vizitorë në Tasmani, është rikthyer në det pas disa javësh qëndrimi në breg.
Neil, një fokë elefant pesëvjeçare me peshë rreth një ton, del në breg dy herë në vit në jug të Tasmanisë për të pushuar dhe për të ndërruar qimet. Gjatë këtij sezoni, pamjet e saj duke rrëzuar tabela, shtylla dhe duke bërë banjë dielli në rrugë u bënë virale, duke grumbulluar miliona shikime në rrjetet sociale.
Departamenti i Burimeve Natyrore dhe Mjedisit i Tasmanisë njoftoi se Neil u kthye në det në mënyrë të sigurt.
“Neil u kthye shëndoshë e mirë në det mbrëmë. Kjo është sjellja e saj normale dhe pritej”, thuhet në deklaratën e autoriteteve, të cilat nuk përjashtojnë mundësinë që mund të rikthehet sërish në breg në ditët në vijim.
Për shkak të interesit të madh të publikut, autoritetet u detyruan të vendosnin masa të posaçme sigurie. Vizitorëve iu kërkua të mbanin një distancë prej të paktën 20 metrash nga kafsha, ndërsa qentë duhet të qëndronin të paktën 50 metra larg. Madje, u paralajmërua se eutanazia do të ishte zgjidhja e fundit nëse siguria publike nuk do të mund të garantohej.
Sipas autoriteteve, pati raste kur njerëzit iu afruan Neil-it me fëmijë të vegjël për të bërë fotografi ose i lanë ushqim, sjellje që u cilësuan të rrezikshme.
Për të menaxhuar situatën, këshilli lokal angazhoi roje sigurie 24 orë në ditë dhe ndryshoi përkohësisht qarkullimin në zonë, ndërsa po përllogarit edhe dëmet e shkaktuara nga foka.
Ekspertët e jetës së egër shpjegojnë se përplasjet e Neil me tabela, shtylla dhe objekte të tjera janë pjesë e sjelljes normale të fokave elefant të moshës së tij, të cilat zakonisht luajnë dhe “sfidojnë” njëra-tjetrën në këtë mënyrë.
Neil lindi në jug të Tasmanisë dhe konsiderohet një nga këlyshët e parë të fokës elefant të lindur në këtë rajon, pasi popullata e kësaj specieje u shkatërrua në fillim të shekullit të 19-të për shkak të gjuetisë. Aktualisht, foka elefant klasifikohet si një specie e prekshme në Australi.
“Ne do të vazhdojmë ta monitorojmë, por tani tabelat dhe konet e trafikut të Tasmanisë mund të marrin frymë të qeta. Falënderojmë të gjithë ata që e trajtuan Neil me respekt dhe kujdes gjatë kohës që ishte në tokë”, deklaroi kryeministri i Tasmanisë, Jeremy Rockliffe.
