Një gropë gjigante është hapur në Malibu, shumë pranë rezidencës luksoze të aktorit Nicolas Cage, duke shkaktuar shembjen e rrugës dhe të një pjese të rrugicës që të çon drejt pronës së tij buzë oqeanit.

Ngjarja ndodhi të martën, më 8 shtator, në orët e para të mëngjesit. Sipas “Associated Press”, shembja shkaktoi edhe një rrjedhje gazi pak para orës 06:00, duke detyruar ekipet e emergjencës dhe kompaninë SoCalGas të ndërhynin në zonë.

Pamjet nga vendi tregojnë një krater të madh, ndërsa pjesë të asfaltit dhe betonit janë shembur pranë garazhit të rezidencës. Nuk është konfirmuar se vetë struktura e shtëpisë ka pësuar dëmtime, por gropa është hapur shumë pranë pronës.

Sipas “Los Angeles Times”, deri në mbrëmje gropa kishte arritur rreth 7.6 metra thellësi dhe përmasa afërsisht 9 me 18 metra. Autoritetet paralajmëruan se situata mund të përkeqësohej për shkak të baticave të larta dhe reshjeve të vazhdueshme.

Për shkak të rrezikut, qyteti i Malibu shpalli një situatë emergjente dhe urdhëroi evakuimin e banorëve të dhjetëra shtëpive në zonë. Sipas autoriteteve, 31 banesa u shënuan si të rrezikuara, ndërsa hyrja e mjeteve të emergjencës në këtë pjesë të lagjes u bë e vështirë për shkak të shembjes së rrugës.

Prona e Nicolas Cage, e cila ndodhet mes Oqeanit Paqësor dhe Pacific Coast Highway, ishte blerë nga aktori në vitin 2024. Sipas të dhënave të pronës dhe raportimeve të mediave amerikane, rezidenca kishte një vlerë prej rreth 10.5 milionë dollarësh.

Shembja ka ndodhur në një moment kur bregdeti i Kalifornisë Jugore po përballej me dallgë të fuqishme, reshje dhe rrezik për përmbytje bregdetare, pas ndikimit të stuhisë tropikale Marie. Erozioni bregdetar dyshohet se ka luajtur një rol në krijimin e gropës.

Për fat të mirë, nuk është raportuar për persona të lënduar, ndërsa në momentin kur ndodhi shembja, rezidenca e aktorit nuk ishte e banuar.

Nicolas Cage, 62 vjeç, është një prej aktorëve më të njohur të Hollywood-it. Ai ka fituar një Oscar për rolin në filmin Leaving Las Vegas dhe së fundmi është shfaqur në serialin Spider-Noir.