Një episod i papritur ka ndodhur mbrëmjen e premierës së operës “La Traviata” në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, ku sopranoja e njohur Eva Golemi është rrëzuar në skenën finale të shfaqjes
Rënia ndodhi në momentin dramatik të skenës ku personazhi i Violetës ndërron jetë në duart e Alfredos.
Sikurse duket në pamje, në momentin final kur Violeta duhet të bjerë në krahët e Alfredos, sopranoja Eva Golemi rrëzohet në tokë, pasi tenori Mario Rojas tregon mungesë profesionalizmi, duke mos vepruar në kohë.
Menjëherë pas incidentit, stafi i teatrit thirri ambulancën për të siguruar ndihmë mjekësore, duke shmangur rrezikun për ndonjë dëmtim të mundshëm fizik. Eva Golemi u dërgua në spital për ekzaminime të detajuara.
Mjekët i kanë sugjeruar sopranos të qetësohet dhe për pasojë, ajo do të mungojë në shfaqjen e së hënës në mbrëmje dhe roli i Violotës do të interpretohet nga një soprano tjetër. Eva Golemi është në gjendje të mirë shëndetësore, por do të marrë kohën e nevojshme për t’u rikuperuar plotësisht e për t’u rikthyer më pas në skenë.
“La Traviata” është një nga operat më të interpretuara në botë dhe historia e saj bazohet në një personazh real.
Violetta Valery është frymëzuar nga Marie Duplessis, kurtizane franceze dhe dashuria e madhe e shkrimtarit Alexandre Dumas i riu, i cili shkroi romanin e famshëm La Dame aux camélias.