Një moment i pazakontë dhe i rrezikshëm ka ndodhur gjatë një koncerti të këngëtarit të muzikës country Riley Green, i cili u godit me një telefon nga publiku, duke pësuar plagë në vesh dhe duke përfunduar me gjak në skenë.

Ngjarja ndodhi gjatë një koncerti në Australi, ku artisti u detyrua të ndalonte performancën pasi objekti i hedhur nga turma e goditi drejtpërdrejt. Ai hoqi kitarën, identifikoi personin përgjegjës dhe kërkoi menjëherë ndërhyrjen e sigurisë për ta nxjerrë jashtë sallës.

Pavarësisht dëmtimit, këngëtari reagoi me qetësi dhe madje me humor para publikut, duke u rikthyer në skenë ndërsa gjaku i rridhte nga qafa. Ai i paralajmëroi fansat që të përdorin telefonat vetëm për ndriçim dhe jo si objekte për t’u hedhur.

Si pasojë e goditjes, artisti u detyrua të marrë trajtim mjekësor dhe iu vendosën pesë qepje për të mbyllur plagën në vesh.