“Bayern Munich Basketball” përmirësoi ndjeshëm paraqitjen e saj që nga dita kur drejtimin teknik e mori Svetislav Pesic dhe, edhe pse ishte e pamundur të kapte fazën e play-off-it, e mbyll sezonin e rregullt duke lënë përshtypje pozitive dhe e gatshme për të synuar titullin në kampionatin gjerman.
Këtë e dëshmoi duke fituar edhe në Milano ndaj Olimpia Milano me rezultatin 94-84. Trajneri 76-vjeçar ishte në humor shumë të mirë pas paraqitjes së ekipit të tij dhe fitores, gjë që nuk e fshehu në deklaratat e tij gjatë intervistës së zakonshme “flash” të EuroLeague, dhënë për gazetaren italiane të “Sky Sports”, Gaia Accoto.
Pasi lavdëroi lojtarët e tij për fitoren në transfertë, ai nisi ta pyesë Accoto nëse e njeh Bundesligën dhe nëse e ndjek atë, pasi tani Bayern do të përqendrohet aty. Më poshtë dialogu epik, me trajnerin me përvojë serbe që madje i kërkon edhe numrin e telefonit.
Biseda mes Pesic dhe Accoto:
Pesic: Tani kemi Bundesligën. Nuk e njeh Bundesligën, nuk e ndjek?
Gazetarja: Përpiqem të ndjek gjithçka, por dita, trajner, siç e dini, ka 24 orë.
Pesic: Gjermania, siç e dini, është kampione bote dhe Evrope.
Gazetarja: E di, e di, kam qenë aty kur fitoi. Ndjek gjithçka, siç ju thashë.
Pesic: Atëherë të ftoj në play-off, në ndeshjet tona.
Gazetarja: Vërtet? Atëherë do të jem aty.
Pesic: Më jep numrin tënd dhe do t’u them njerëzve të klubit t’a organizojnë, nëse do të shohësh një ndeshje të Bundesligës.
Gazetarja: Ju jeni një legjendë, më ftoni, sigurisht që do të jem aty.
Pesic: Të gjithë flasin për kampionatin spanjoll, italian, turk, por askush për kampionatin e kampionëve të botës dhe Evropës.
Gazetarja: Po ju them të vërtetën, para ndeshjes me një koleg timin po flisnim për punën që bëni me lojtarët e rinj.
Svetislav Pesic invites EuroLeague reporter Gaia to Bundesliga playoffs 😅 pic.twitter.com/vut9X2gBOi
— BasketNews (@BasketNews_com) April 10, 2026

