Një propozim martese gjatë një ndeshjeje bejsbolli të ekipit Boston Red Sox është bërë viral në SHBA, por jo për arsyen që pritej, pasi momenti romantik u kthye në një situatë të sikletshme për çiftin.

Gjatë ndeshjes kundër Houston Astros, një tifoz i quajtur Douglas i propozoi martesë partneres së tij, Sarah Lynn, teksa imazhi i tyre u shfaq në ekranin gjigant të stadiumit me mbishkrimin: “Sarah Lynn, a do të martohesh me mua?”.

Pamjet e publikuara nga CEO e “Boston Globe”, Linda Henry, tregojnë reagimin e vajzës, i cili nuk ishte entuziast siç pritej. Sipas një gazetari të “Boston Herald”, Sarah është dëgjuar duke thënë “Nuk e di…”, duke lënë të hapur dyshime për përgjigjen e saj.

Megjithatë, momenti vijoi me Douglas që u afrua dhe e puthi partneren e tij, ndërsa ajo dukej se i pëshpëriste diçka. Pavarësisht situatës së pazakontë, operatorët e ekranit gjigant në stadium i përgëzuan çiftin, duke e kthyer momentin në një skenë të komentuar gjerësisht në rrjetet sociale.