Aktori i njohur turk, Dogukan Gungor, i cili interpretonte personazhin e Fatin në serilian “Kizilcik Seberti”, është larguar zyrtarisht nga seriali. Shkak u bë përfshirja e tij në një hetim për drogë.

Mediat turke shkruajnë se largimi i aktorit erdhi pasi rezultoi pozitiv në një test droge, i kryer në kuadër të një hetimi që përfshinte disa figura të njohura të botës së artit dhe ekranit.

Pas këtij zhvillimi, producentët e serialit morën vendimin për ta përjashtuar Gungor nga kasti.

Pavarësisht rrethanave që çuan në largimin e tij, ekipi i serialit të njohur organizoi një ceremoni simbolike lamtumire për aktorin në ambientet e xhirimeve. Sipas një lajmi të publikuar nga gazetarja e njohur, Birsen Altuntas, në set u pre edhe një tortë, ndërsa momenti u shoqërua me emocione të forta.

Dogukan Gungor u pa dukshëm i prekur dhe nuk arriti t’i përmbante lotët gjatë lamtumirës me kolegët dhe stafin e produksionit, me të cilët kishte punuar për një periudhë të gjatë. Pamjet dhe përshkrimet e momentit kanë prekur edhe fansat e serialit në rrjetet sociale.