Milan Pride 2026 u zhvillua mes muzikës, festës dhe mesazheve për të drejtat e komunitetit LGBTQIA+, por nuk munguan as momentet e tensionit. Një incident gjatë paradës ku merrte pjesë këngëtarja e njohur Elodie, së bashku me partneren e saj, balerinës shqiptare, Francesca Nuredini, ka bërë xhiron e rrjeteve sociale.

Artistja italiane, e njohur për angazhimin e saj në mbrojtje të të drejtave të komunitetit LGBTQIA+, mori pjesë në marshimin e 27 qershorit në Milano, në edicionin e 25-të të Pride. Për herë të parë në një event të tillë publik ishte edhe partnerja e saj, Francesca Nuredini, me të cilën ajo u shfaq e afërt mes qindra mijëra pjesëmarrësve.

Gjatë marshimit, ndërsa çifti po lëvizte mes turmës së madhe të njerëzve, një video e publikuar në TikTok dhe e shpërndarë më pas në platformën X tregon momentin kur Elodie tërhiqet papritur nga krahu nga një person i pranishëm në turmë. Sipas pamjeve, personi duket se tenton të tërheqë vëmendjen e këngëtares, ndërsa ndërhyrja ndodh pavarësisht korridorit të krijuar nga stafi i eventit.

Elodie shfaqet e befasuar dhe e shqetësuar për disa sekonda, por më pas vijon marshimin pa pasoja të mëtejshme.

Pamjet kanë shkaktuar reagime të shumta në rrjetet sociale, ku përdoruesit kanë dënuar sjelljen e personit, duke theksuar se entuziazmi nuk justifikon prekjen fizike të padëshiruar, sidomos në evente me pjesëmarrje masive.

Pavarësisht incidentit, dita vijoi në atmosferë festive për këngëtaren, e cila ndau më pas në rrjetet sociale një foto ku shihej duke u puthur me Francesca Nuredini.