Skejtbordisti olimpik spanjoll Danny León ka realizuar një moment spektakolar, duke kryer një hedhje pikërisht në çastin kur Hëna kalonte përpara Diellit gjatë eklipsit diellor. Pamjet, të publikuara nga vetë León në rrjetet sociale, tregojnë atletin teksa realizon manovrën në një sinkronizim pothuajse perfekt me fenomenin astronomik, duke krijuar një skenë të veçantë vizuale.

León e përshkroi performancën si “lëvizjen e jetës së tij”, ndërsa videoja tërhoqi menjëherë vëmendjen në rrjetet sociale për kombinimin mes sportit ekstrem dhe një prej fenomeneve më mbresëlënëse natyrore. Momenti u realizua gjatë eklipsit diellor të 12 gushtit, i cili ishte i dukshëm në pjesë të ndryshme të Europës.