Reagime të shumta ka shkaktuar në Tajlandë një video ku shfaqet një banakier duke i rruar kokën një gruaje, e cila dyshohet se tentoi të largohej nga një bar pa paguar faturën. Ngjarja ka ndodhur më 25 gusht në zonën Pinklao të Bangkokut dhe sipas informacioneve të publikuara në mediat që raportuan rastin, fatura e gruas kishte arritur në 60 mijë baht, rreth 1.800 dollarë ose 1.560 euro. Gruaja dyshohet se kishte përdorur një dokument identifikimi të falsifikuar për të hyrë në bar. Më pas, ajo tentoi të largohej nga lokali pa paguar faturën, por u pikas nga stafi dhe u shoqërua sërish brenda.

Meqë gruaja dyshohet se nuk kishte mundësi të paguante shumën, në vend që të dorëzohej te autoritetet, asaj iu propozua të rruante kokën, ndërsa vlera e flokëve të saj do të llogaritej si pjesë e shlyerjes së borxhit. Në videon që është përhapur në rrjetet sociale, gruaja shfaqet e veshur me një fustan të bardhë dhe duket se pranon atë që paraqitet si një “kontratë për blerjen e flokëve”. Më pas, një banakier përdor një makinë rroje dhe i pret flokët e saj të gjatë.

Pas kamerës dëgjohet një burrë që pretendon se nuk po e shfrytëzon gruan dhe se bëhet fjalë për “çmimin e tregut”, ndërsa përmendet edhe një shumë shtesë që do t’i shtohet marrëveshjes. Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta, pasi organizata dhe institucione të ndryshme kanë vënë në pikëpyetje ligjshmërinë e kësaj “forme ndëshkimi”.