Tom Hardy po tregon se aktrimi nuk është i vetmi talent që ka mbajtur të fshehur. Aktori 48-vjeçar ka publikuar albumin e tij të parë rap, duke rikthyer në vëmendje një pasion që e kashoqëruar që nga adoleshenca.

Albumi, i publikuar më 28 gusht, mban titullin “Czarface Meets Frankie Pulitzer” dhe është realizuar në bashkëpunim me grupin hip-hop Czarface. Hardy nuk shfaqet me emrin e tij, por përdor alter egon Frankie Pulitzer, një identitet që prej vitesh kishte nxitur spekulime te fansat e muzikës.

Kush fshihej pas Frankie Pulitzer?

Czarface nisi të bashkëpunonte me një reper misterioz të quajtur Frankie Pulitzer në vitin 2021. Që prej asaj kohe, fansat nisën të dyshonin se pas këtij emri fshihej pikërisht Tom Hardy, edhe pse aktori nuk e kishte konfirmuar menjëherë.

Tashmë misteri është zbardhur. Albumi përmban 15 këngë dhe mes bashkëpunëtorëve janë emra të njohur të hip-hop-it si Method Man dhe Busta Rhymes. Projekti përfshin gjithashtu referenca nga bota e kinemasë dhe një paraqitje të Bane, personazhit që Hardy interpretoi në filmin “The Dark Knight Rises”.

Pasioni për repin nisi që në adoleshencë
Edhe pse për publikun Hardy njihet kryesisht si aktor, muzika nuk është një pasion i lindur së fundmi. Ai ka treguar më herët se ka nisur të bjëjjë rap që në moshën 14 -15-vjeçare.

Në vitin 2011, gjatë një interviste për BBC Newsbeat, Hardy rrëfeu se kishte regjistruar shumë materiale ndër vite, edhe pse pjesa më e madhe e tyre nuk ishte publikuar kurrë.

Një mixtape i regjistruar në 1999

Ky nuk është as projekti i parë muzikor i Hardy-t. Në vitin 2018 u publikua një mixtape që aktori e kishte regjistruar në vitin 1999 në bashkëpunim me shkrimtarin dhe regjisorin Edward Tracy.

Në atë kohë, Hardy përdorte emrin artistik “Tommy No 1”. Albumi me 18 këngë ishte regjistruar në një dhomë gjumi dhe kishte mbetur i papërfunduar për afro dy dekada, përpara se Tracy ta publikonte në Bandcamp.

Edhe atëherë Hardy kishte lënë të kuptohej se muzika ishte diçka që e merrte seriozisht. Ai shprehej se kishte një album të regjistruar dhe se një ditë ai mund të përfundonte në një film ose të përdorej për një personazh.

Duket se ajo ditë më në fund ka ardhur, vetëm se këtë herë Tom Hardy nuk është pas mikrofonit për një rol kinematografik. Ai është vetë artisti.