Një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në qytetin e Vanit, në Turqinë lindore, ku 32-vjeçari Ahmad Jahangard Takalo zbuloi papritur se në llogarinë e tij bankare figuronin rreth 20 miliardë dollarë. Takalo e kuptoi situatën teksa po bënte pazar në një treg lokal. Pasi karta e tij bankare nuk funksionoi gjatë pagesës, ai kontrolloi llogarinë dhe mbeti i habitur kur pa një shumë gjigante, afërsisht 1 trilion lira turke, të depozituara në emrin e tij. Sipas raportimeve, bëhej fjalë për një gabim ose anomali teknike në sistemin bankar.

Banka reagoi menjëherë duke bllokuar të gjitha llogaritë e tij dhe duke nisur një hetim për të përcaktuar origjinën e shumës. Për momentin, Takalo nuk ka akses në fondet e tij dhe as nuk di si përfunduan ato në llogari. I habitur nga shuma marramendëse, ai pyeti edhe një inteligjencë artificiale se çfarë mund të bënte me kaq para. Përgjigjja ishte se mund të ndërtonte rreth 1.000 stadiume, të blinte disa kamionë të mbushur me ar ose madje të financonte krijimin e një shteti të vogël.