Ish-moderatorja e Love Island USA, Arielle Vandenberg, ka tentuar të bëjë një shaka të pazakontë gjatë mbrëmjes së 4 majit në Muzeun Metropolitan të Artit në New York, duke u shfaqur pa ftesë në eventin më ekskluziv të modës në botë, por me një “aksesor” shumë të veçantë: hudhër.
Sipas raportimeve, Arielle u përpoq të fuste në gala një shishe salce hudhre të markës Hellmann’s, pavarësisht se hudhra është një nga përbërësit e ndaluar në menunë e Met Gala-s. Për të kompletuar shakanë, ajo kishte veshur një fustan couture të bardhë, të frymëzuar nga forma e hudhrës.

“Ke qenë ndonjëherë i paftuar në festën më të madhe të modës?” tha ajo për E! News. “Kur kuptova që nuk isha e ftuar dhe as hudhra nuk ishte, mendova: pa hudhër, pa qepë, pa shije? Nuk kishte kuptim.” Ajo shtoi se së bashku me Hellmann’s vendosi të “sjellë shijen” në event, edhe nëse nuk do të lejohej të hynte brenda.
Sipas markës, veshja e saj ishte një krijim artistik që simbolizonte thelbin e hudhrës, me detaje që imitonin thelpinjtë dhe një aksesor të frymëzuar nga logoja e Hellmann’s.
Met Gala, e drejtuar prej vitesh nga Anna Wintour, ka një politikë të njohur për të shmangur disa përbërës në ushqim, përfshirë hudhrën, qepën dhe qepujkat. Wintour më herët ka shpjeguar se këto janë ushqime që ajo nuk i preferon.


