Sean Penn i ka dhënë presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky, Oscar-in e tij, duke i thënë që ta kthejë atë në Malibu kur kombi i tij të dalë fitimtar nga lufta me Rusinë.

Aktori dhe regjisori i njohur ka qenë një mbështetës i zëshëm i Ukrainës që nga shpërthimi i luftës në shkurt të vitit 2022. Madje 62-vjeçari ka udhëtuar në Kiev dy herë këtë vit, përpara udhëtimit të djeshëm.

Penn, i cili e ka quajtur Zelenskyn “mikun e tij të madh”, u filmua kësaj radhe duke nxjerrë çmimin e tij Oscar nga një çantë që e vendosi në tryezën e presidentit ukrainas.

“Kjo është për ty”, i tha aktori Zelenskyt, duke shtuar: “Është thjesht një budallallëk simbolik, por nëse e di që është këtu me ju, atëherë do të ndihem më mirë dhe më i fortë për luftën…”.

62-vjeçari i tha më pas se kur të fitonin, presidenti ukrainas do ta kthente atë në Malibu.

“Do të ndihem shumë më mirë duke ditur se një pjesë e imja është këtu”, përfundoi regjisori i njohur.

Zelensky, i cili para hyrjes së tij në politikë ishte një aktor dhe komedian i njohur, ishte qartazi i lumtur dhe e pranoi me mirënjohje statujën e Oscar-it, duke e përshkruar atë si një “nder të madh”.

Ai u pa më vonë duke vendosur trofeun e artë në bufenë e zyrës së tij presidenciale.

Nga ana tjetër, Zelensky i dhuroi aktorit një Urdhër ukrainas të Meritës, për ta falënderuar atë “për mbështetjen e tij të sinqertë dhe kontributin e rëndësishëm në popullarizimin e Ukrainës në botë”.

Penn, i cili ka fituar disa çmime gjatë karrierës së tij, është një nga disa aktorë të shquar amerikanë që kanë udhëtuar në Ukrainë që kur tanket ruse kaluan përtej kufirit më 24 shkurt të këtij viti.

Madje atij iu ndalua hyrja në Rusi në shtator, kur ministria e jashtme e Vladimir Putin e shtoi atë, së bashku me Ben Stiller, në një listë të qytetarëve amerikanë të ndaluar nga vendi për shkak të kritikave të tij të hapura për konfliktin.

Penn ishte në Ukrainë duke regjistruar një dokumentar kur Rusia nisi pushtimin dhe u detyrua të ikte, duke kaluar në Poloni si shumë refugjatë ukrainas.