Një operacion policor në Stamboll është kthyer në një skenë të pazakontë. Shkak është bërë momenti i arrestimit të një gruaje të shumëkërkuar që u transmetua drejtpërdrejt në rrjetet sociale nga vetë llogaria e saj.

Mediat turke shkruajnë se policia vendase arrestoi Gulistan Kurt në lagjen Esenyurt të Stambollit, ndërsa ajo po zhvillonte një transmetim “live”. Shikuesit panë në kohë reale momentet kur efektivët mbërritën në banesën ku fshihej gruaja.

Pak sekonda përpara ndërhyrjes së policisë, në transmetim dëgjohet një person duke e paralajmëruar: “Vrapo, dikush po troket në derë… Hape, ik”.

Menjëherë më pas, policët hynë në banesë dhe arrestuan Kurtin, ndërsa kamera vazhdoi të regjistronte momentet e fundit të transmetimit.

Sipas agjencisë turke DHA, Gulistan Kurt rezulton me plot 215 precedentë penalë, kryesisht për vjedhje, ndërsa ndaj saj ishte dhënë një dënim përfundimtar prej 64 vitesh e gjashtë muajsh burg.

Ajo kërkohej nga gjykatat në Stamboll, Bursa dhe Izmir për një seri veprash penale. Mes akuzave ndaj saj përfshihen forma të ndryshme të vjedhjes, përfshirë vjedhjen e sendeve të ruajtura brenda ndërtesave dhe të pasurive të institucioneve publike, si dhe falsifikimi i dokumenteve zyrtare dhe deklarimet e rreme pranë zyrave të gjendjes civile.

Operacioni mori vëmendje të madhe në mediat sociale pikërisht për shkak të mënyrës së pazakontë të arrestimit: arratia e gruas me 215 precedentë penalë mori fund para syve të personave që po ndiqnin transmetimin e saj drejtpërdrejt