Moderatorja dhe këngëtarja, Orinda Huta ka reaguar pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja duke e cilësuar si një “kambanë alarmi” për shoqërinë. “Nuk e besoj dot që njerëzit duartrokasin një veprim kafshëror”, shkruan ajo në një postim në Instagram, duke theksuar se reagimet e tilla janë po aq shqetësuese sa vetë ngjarja.

Orinda tregoi se vetë është pjesë e një procesi gjyqësor që zvarritet prej 15 vitesh pa marrë ende zgjidhje. “Zoti e di se sa do zgjasë, pasi akoma nuk ka kaluar në shkallë të parë mes palëve. Jemi ende me shtetin. Por janë tokat e mamasë time dhe do i marr njësoj siç i takojnë të gjithëve që janë pjesëtarë”, shkruan moderatorja.

Ajo shton se ndër vite ka marrë kërcënime nga persona të afërt për shkak të kërkesës së saj për drejtësi. “Kam marrë shpesh kërcënime nga të ashtuquajtur ‘daja’, që pse po kërkoja të drejtën e familjes time”.

Në fund, Huta shprehet se e kupton frustrimin që vjen nga proceset gjyqësore të pafund, por nënvizon se kjo nuk justifikon dhunën apo krimin. “E njoh mirë frustrimin e proceseve të gjata pa fund, por që të biesh dakord me krimin e ta vlerësosh… Ky është fundi”.