Një person i shpallur në kërkim për vrasjen e dy efektivëve të policisë është vrarë pas një operacioni të zhvilluar nga autoritetet, duke i dhënë fund një arratie që zgjati rreth shtatë muaj. I dyshuari, Dezi Freeman, u lokalizua në një zonë rurale pranë kufirit të shtetit të Uellsit të Ri Jugor, ku dyshohet se ishte fshehur në një strukturë të improvizuar të ngjashme me një kontejner.
Sipas policisë, forcat e rendit rrethuan zonën dhe i kërkuan të dorëzohej, por ai doli nga vendstrehimi në rrethana që ngritën dyshime se mund të ishte i armatosur. Në këto kushte, efektivët ndërhynë dhe e qëlluan për vdekje gjatë përballjes. Autoritetet konfirmuan se operacioni përfundoi pa të lënduar nga radhët e policisë dhe se rasti po hetohet sipas procedurave standarde për përdorimin e armëve nga forcat e rendit.
56-vjeçari ishte në arrati që prej gushtit të vitit të kaluar, kur dyshohet se vrau dy oficerë policie gjatë një operacioni për arrestimin e tij. Për kapjen e tij ishte vendosur edhe një shpërblim i madh financiar, ndërsa qindra efektivë ishin angazhuar në kërkim për muaj me radhë.



