Përpara gjyqtarit të hetimeve paraprake (GIP), Elico Fantuzzi zgjodhi të mos u përgjigjej pyetjeve, por të jepte deklarime spontane. Ai akuzohet për vrasjen e kushëririt të tij, të cilit i ishte caktuar kujdestar ligjor, por rasti nuk lidhet me një armë tradicionale krimi. Sipas hetimeve, shkak i ngjarjes dyshohet të jetë bërë një bombolone me krem (ëmbëlsirë italiane e mbushur me krem).
Alfredo, 74 vjeç, ndodhej në një shtëpi kujdesi për të moshuarit. Elico ishte kujdestari i tij ligjor që prej vitit 2009 dhe, sipas hetuesve, ishte në dijeni të plotë të problemeve të tij shëndetësore. Alfredo vuante nga skizofrenia dhe kishte vështirësi të rënda në gëlltitje. Për këtë arsye, ndiqte një dietë strikte, ku lejoheshin vetëm ushqimet në formë të lëngshme, ndërsa ushqimet e ngurta ishin rreptësisht të ndaluara.
Fantuzzi, 76 vjeç, e ka cilësuar ngjarjen si pakujdesi përpara gjyqtarit. Ai pranoi se kishte lënë ëmbëlsirën pranë kushëririt, megjithëse e dinte se vuante nga disfagia, dhe më pas ishte larguar për të biseduar me infermierët e azilit. 76-vjeçari mohon se ka vepruar qëllimisht dhe deklaron se e donte Alfredon. “E doja shumë Alfredon, për mua ishte si një vëlla”, mësohet të ketë thënë ai.
Avokati mbrojtës kërkoi lirimin e klientit, i cili nuk ka precedentë penalë, ose, në alternativë, vendosjen e detyrimit për paraqitje në polici. Mbrojtja paraqiti gjithashtu dëshirën e të pandehurit për të marrë leje që të mund të takojë fëmijët dhe nipërit e tij.
Megjithatë, gjyqtari vendosi të konfirmojë masën e arrestit shtëpiak, duke rrëzuar kërkesën e avokatit. Në këto kushte, Fantuzzi do të lejohet të komunikojë vetëm me bashkëshorten, avokatin dhe mjekët. Sipas hetuesve, motivi i dyshuar i ngjarjes mund të lidhet me pasurinë e luajtshme të Alfredos, me vlerë mbi 300 mijë euro, nga e cila Elico është një prej bashkëtrashëgimtarëve.
Prokuroria pretendon gjithashtu se Fantuzzi i kishte çuar edhe më parë ushqime të ngurta kushëririt, por ishte qortuar nga personeli i institucionit. Sipas akuzës, këtë herë ai mund t’i ketë shpërqendruar qëllimisht punonjësit, për të shmangur dyshimet.
Megjithatë, ka edhe persona që mbrojnë 76-vjeçarin. Në një reagim për gazetën Gazzetta di Reggio, një prej mbesave të tij ka dalë në mbrojtje të Fantuzzit, duke këmbëngulur se ai nuk do të ishte në gjendje të kryente një veprim të tillë.
“Unë e njoh shumë mirë personin që po cilësohet si vrasës. Nëse i ka çuar një bombolone, e ka bërë nga mirësia, si një gjest i bukur, tipik për xhaxhain tim, i cili ka pasur gjithmonë një vëmendje të veçantë për të gjithë të afërmit e moshuar”, ka deklaruar ajo në kushte anonimiteti.
Sipas 50-vjeçares, Alfredo nuk ishte i vetmi i afërm i moshuar apo person që kishte nevojë për kujdes dhe ndihmë, për të cilin kujdesej Fantuzzi. Ajo thotë se ai kishte ndihmuar edhe disa të afërm të tjerë që kishin mbetur vetëm, përfshirë të veja në vështirësi.
“Është një person jashtëzakonisht korrekt, serioz, i mirë dhe i aftë. I ka kushtuar gjithë jetën punës dhe familjes. Jam e bindur se nuk do t’i bënte keq askujt”, ka shtuar ajo.
“Elico nuk është i aftë të kryejë atë për të cilën akuzohet. Jam gati të betohem për vajzën time. Sipas mendimit tim, ngjarja ka ndodhur ndryshe: dikush tjetër ka dashur të mbrojë veten dhe të mbulojë një gabim të bërë prej tij”, ka përfunduar mbesa.

