Një tjetër krijues përmbajtjesh është vrarë në Meksikë teksa ishte duke transmetuar drejtpërdrejt në rrjetet sociale. Viktima është José Luis Esparza, i njohur në internet me pseudonimin “El Piturris”, i cili u qëllua për vdekje në Ciudad Obregón, në shtetin Sonora. Autoritetet lokale konfirmuan se i riu humbi jetën pas të shtënave me armë zjarri.

Esparza ishte pjesë e podcastit “La Guarida”, një projekt i platformës mediatike digjitale “Desde la O”. Ai ishte bërë i njohur për videot me përmbajtje humoristike, të cilat i realizonte në ambiente të ndryshme publike të qytetit, duke përfshirë sheshe, palestra dhe stadiume bejsbolli. Vrasja e tij rikthen në vëmendje dhunën që po godet gjithnjë e më shumë personazhet e rrjeteve sociale në Meksikë.

Bilanci është veçanërisht shqetësues në Sinaloa, një prej shteteve ku kartelet e drogës përplasen për kontrollin e territoreve. Me vrasjen e fundit të një krijuesi përmbajtjesh, numri i influencerëve të ekzekutuar në këtë shtet gjatë dy viteve të fundit ka shkuar në nëntë. Një prej rasteve më të bujshme ishte ai i César Gastélum, i cili u vra më 4 gusht teksa transmetonte live pranë një restoranti fast food në Culiacán, kryeqytetin e Sinaloas.

Por fenomeni nuk kufizohet vetëm në këtë zonë. Një tjetër rast që shkaktoi reagime të forta ishte vrasja e Valeria Márquez, influencuese e njohur në fushën e bukurisë, e cila u qëllua për vdekje vitin e kaluar në Zapopan, në shtetin Jalisco, gjithashtu gjatë një transmetimi të drejtpërdrejtë.