I ftuar në emisionin “Ndryshe” me Elona Duron dhe Salsano Rrapin ka qenë artisti i njohur Yll Limani. Në këtë intervistë ekskluzive në Top Albania Radio ai ka zbuluar shumë detaje jo vetëm sa i përket muzikës, albumit më të ri por edhe nga jeta personale dhe lidhjet. Këngëtari nuk u rezervua aspak me përgjigjet e tij të sinqerta.

A do të kishte dashur Yll Limani të këndonte në Festivalin Kombëtar?

Unë kam kënduar njëherë, kam marrë pjesë me këngën “Shiu” dhe asokohe pata fituar vendin e tretë. Në vitin 2017-2018. Ishte hapur konkursi, e kisha këngën dhe mendova që po shkoj. Fitova vendin e tretë dhe pastaj nuk është se kam marrë pjesë më. Nuk po them që nuk kam për të marrë pjesë më, por kur të vijë koha dhe radha.

Edhe Kosova po, ka një Festival fundviti, por Kosova nuk është ende e pranuar në Eurovision. Po ndërtohet rruga, ka qenë më duket viti i tretë këtë vit që po mbahet. Jam shumë kurioz që të shikoj me Kosovën çfarë do të ndodhë kur të pranohemi.

Do të merrte pjesë te Festivali i Kosovës që të shkonte në Eurovision më pas?

Nuk e kisha thënë këtë, nuk ka lidhje sepse Kosovë-Shqipëri prapë një lloj festivali dhe i njëjti popull jemi si nëse konkurrove për Kosovën si për Shqipërinë.  Por normalisht që do të kisha dashur që të jemi më modern.

Sidomos ky vit e ka dëshmuar se jo vetëm në Eurovision por edhe në playlista-t e Spotify, YouTube kurrë nuk i dihet se çfarë ‘ndez’. Normalisht që dëshirë do të kisha pasur që të merrja pjesë me një këngë që është shumë moderne, që kalon mirë edhe në Festival, edhe në publikun shqiptar, por edhe kur dëgjohet në Eurovision.