Hedy Lamarr, ylli magjepsës i epokës së artë të Hollivudit, nuk ishte vetëm një nga gratë më të bukura të kinemasë, por edhe një nga shpikëset më të jashtëzakonshme të shekullit XX. Në një epokë ku gratë rrallë kishin hapësirë për më shumë se thjesht bukuri, Hedy shkëlqeu si aktore, inxhiniere dhe shpikëse. E lindur në Vjenë më 1914 me emrin Hedwig Eva Maria Kiesler, ajo u bë e famshme për rolin e saj në filmin “Ekstazë”, ku u shfaq nudo, i pari në historinë e kinemasë.

Pas një martese të detyruar me industrialistin e armëve Fritz Mandl, nga i cili mësoi shumë mbi teknologjinë ushtarake naziste, Hedy u arratis në SHBA. Gjatë udhëtimit, firmosi një kontratë me gjigandin MGM dhe u bë menjëherë një yll i padiskutueshëm në Hollivud. Por ajo nuk u mjaftua me famë dhe bukuri. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në bashkëpunim me kompozitorin George Antheil, shpiku një sistem komunikimi me frekuenca që shmangte interferencat, teknologji që u përdor më vonë në zhvillimin e WiFi, Bluetooth dhe GPS.

Ajo punoi gjithashtu për përmirësimin e dizajnit të avionëve dhe bashkëpunoi me Howard Hughes për zhvillime teknologjike. Hedy shpesh shmangte festat e mëdha për të punuar në shpikjet e saj në shtëpi. Në nder të kontributit të saj, Austria e shpalli 9 nëntorin “Dita e shpikësit”. Lamarr është prova e gjallë se bukuria dhe inteligjenca mund të bashkëjetojnë, një grua që la gjurmë të pashlyeshme në art dhe shkencë.

Hedy Lamarr lindi në Vjenë në 1914 dhe u quajt Hedwig Eva Maria Kiesler. Prindërit e saj ishin njerëz të arsimuar, inteligjentë me origjinë hebreje. Babai i saj ishte drejtor banke dhe nëna e saj ishte pianiste. Që në moshë të re, Lamarr tregoi interes për teatrin dhe kinemanë dhe po mësonte piano dhe balet. Në vitin 1933, Lamarr u vu re në skenën e një teatri të Vjenës nga njeriu më i pasur në Austri, Friedrich Mandl. Ai ishte aq këmbëngulës sa e reja pranoi të martohej me të pavarësisht mosmiratimit të prindërve të saj. Dhe ky ishte një gabim.

Martesa u bë një ‘kafaz’ për Lamarr dhe nuk ishte as flori. Burri xheloz e ndalonte të luante në filma, e spiunonte, dëgjonte telefonatat e saj dhe e mbante të mbyllur. Ai e la të dilte vetëm i shoqëruar nga një shërbëtore. Edhe bizhuteritë e aktores ishin mbyllur në kasafortë. Mendimi se dikush tjetër do ta shihte gruan e tij në filma, e shqetësoi aq shumë, saqë ai filloi një ‘gjueti’ për çdo kopje të çdo filmi të saj. Më në fund, Lamarr hoqi dorë dhe vendosi të arratiset në Londër.