Aktori i njohur amerikan Harrison Ford ka bërë deklarata të forta kundër Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, gjatë një interviste për The Guardian, duke e cilësuar atë si “kriminelin më të madh në histori”.

Në intervistën e publikuar më 31 tetor 2025, Ford foli për krizën klimatike dhe pasojat e politikave të administratës Trump ndaj mjedisit, duke mos kursyer aspak fjalët.

“Nuk njoh një kriminel më të madh në histori. Ajo që ka bërë kundër planetit dhe njerëzimit është e pafalshme,” – deklaroi aktori, i njohur për rolet e tij ikonike në “Indiana Jones” dhe “Star Wars”.
Sipas The Guardian, Ford kritikoi ashpër mënyrën se si administrata aktuale amerikane injoron paralajmërimet shkencore për ngrohjen globale dhe dobëson marrëveshjet ndërkombëtare për mbrojtjen e klimës.

Ai shtoi se njerëzit me pushtet “nuk mund të luajnë më me të ardhmen e brezave të rinj për përfitime politike apo ekonomike afatshkurtra”.

Ky reagim i Ford ka bërë bujë të madhe në rrjet, ku shumë figura publike e kanë mbështetur qëndrimin e tij. Aktori është prej vitesh një aktivist i njohur për çështjet e mjedisit dhe ndryshimet klimatike.