Modelja e njohur e OnlyFans, Sophie Rain, dhuroi rreth 121 mijë dollarë nga të ardhurat e saj për organizatën Feeding America, një rrjet jofitimprurës që lufton urinë në Shtetet e Bashkuara. Shuma u mblodh brenda vetëm 24 orësh, pasi ajo njoftoi ndjekësit se çdo qindarkë e fituar më 30 shtator do t’i shkon­te organizatës humanitare.

“Vendosa që 100% e asaj që do fitoja të shkonte direkt për Feeding America,” tha Rain ekskluzivisht për revistën People. Sipas faqes zyrtare të organizatës, një dollar mund të sigurojë të paktën dhjetë vakte për njerëzit në nevojë që do të thotë se donacioni i saj ndihmoi në ofrimin e rreth 1.2 milionë vakteve për familjet që përballen me mungesë ushqimi.

Akti i saj i solidaritetit nuk ishte i rastësishëm. Rain ka treguar se vetë ka përjetuar pasiguri ushqimore gjatë fëmijërisë. “E di si është të hapësh frigoriferin dhe të mos gjesh shumë gjëra brenda. E di si është t’i shohësh prindërit të shqetësuar për ushqimet, duke zgjedhur midis pagesës së qirasë apo ushqimit për familjen,” rrëfen ajo.

Në dhjetor 2024, Rain kishte treguar për People se ishte rritur në një familje të krishterë të varfër që shpesh jetonte me ndihma ushqimore. Pikërisht kjo e ka shtyrë që tani, në kulmin e suksesit të saj financiar, të ndihmojë të tjerët që përballen me të njëjtat sfida.

Fushata e saj e quajtur #GoonForGood, fillimisht kishte nisur si një “shaka e ditëlindjes.” “Thjesht bëra shaka me fansat dhe të mblidhnim para për një kauzë të mirë, ndërkohë që ata bënin atë që tashmë po bënin,” shpjegon ajo me humor. Por iniciativa u kthye në një fushatë të vërtetë bamirësie, duke tejkaluar çdo parashikim.