Aktorja e “Modern Family”, Ariel Winter, ka folur hapur për vendimin e saj për t’u larguar nga Los Angeles për të filluar një jetë më të qetë me partnerin e saj, pas vitesh në qendër të vëmendjes. Edhe pse ka lindur në Los Angeles dhe e filloi karrierën e saj në moshën 4 vjeçare duke xhiruar reklama, Ariel tani është 27 vjeçe dhe ka jetuar një jetë që është shumë larg asaj që jetoi personazhi i saj në serial.

Roli i Alex Dunphy-t, të cilin e mori në moshën 11 vjeçe, e renditi atë ndër fytyrat më të njohura të televizionit. Megjithatë, paralelisht me famën erdhi edhe ana e saj negative, vëmendja e vazhdueshme e medias, kritikat dhe fyerjet në rrjetet sociale.

“Ishte kudo. Çdo titull që lexoja për veten thoshte se dukesha tmerrësisht, isha shtatzënë ose isha e shëndoshë. Dhe isha vetëm 14 vjeçe. Kjo ma shkatërroi plotësisht vetëbesimin. E kuptova si ishte të të urrenin njerëzit. Pavarësisht se çfarë po më ndodhte, unë isha një shënjestër. Ishte shumë e vështirë për mua të shikoja në pasqyrë dhe të thoja: ‘E dua këtë version të vetes’”-tha ajo në një intervistë me revistën People.

Që në moshën 14-vjeçare, pasi akuzoi nënën e saj Chrisoula Workman për abuzim, autoritetet përgjegjëse për mbrojtjen e fëmijëve dhe familjes u detyruan të reagonin dhe ta ndanin atë nga shtëpia e familjes. Edhe pse nëna i mohoi publikisht akuzat, gjykata vendosi t’ia jepte kujdestarinë motrës së saj më të madhe, Shanelle Gray.

Pas përfundimit të serialit “Modern Family” në vitin 2020 dhe me ndihmën e terapisë, Ariel vendosi të largohej nga Los Angeles me të dashurin e saj, aktorin Luke Benward dhe të shpërngulej në një vend më të qetë.

“Nuk e lashë industrinë. Thjesht u largova nga qyteti i Los Angelesit. Kam kujtime të këqija aty kështu që mendova pse jo?-shpjegoi ajo.