Youssef Siher, 30 vjeç, është personi që dyshohet se qëndron pas faqes në rrjetet sociale “Lëvizja e 17 Tetorit”, e cila publikoi thirrje për protesta në disa qytete të Italisë. Ai është identifikuar nga hetuesit italianë dhe është shoqëruar në selinë e policisë në Milano, ndërsa është nën hetim për nxitje të krimit të rënduar. Siher, me origjinë marokene, është studiues i gjeopolitikës dhe gazetar i pavarur, i cili raportohet se ka lidhje me lëvizjen e të rinjve palestinezë.
Identifikimi i tij vjen pas një jave hetimesh, të nisura pas përplasjeve të regjistruara në Milano fundjavën e kaluar. Sipas mediave italiane, faqja “Lëvizja e 17 Tetorit” kishte publikuar njoftime për tubime dhe takime në sheshe të ndryshme të Italisë, duke bërë thirrje për mobilizim edhe më 24 tetor. Të premten, administratori njoftoi anulimin e disa prej tubimeve të shpallura, por theksoi se lëvizja nuk do të hiqte dorë nga protestat. Të shtunën në mëngjes, policia ndërhyri dhe shoqëroi Siherin për verifikime.
Siher ka studiuar në Universitetin e Milanos, ku ka përfunduar një diplomë në Komunikim dhe një master në Shkenca Politike. Sipas profilit të tij në Institutin për Studime Politike Ndërkombëtare (ISPI), ai ka punuar si praktikant kërkimor në Observatorin për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut.
Interesat e tij akademike lidhen me Islamin politik, lëvizjet politike islame dhe marrëdhëniet mes Islamit dhe nacionalizmit arab. Gjatë studimeve, ai është përqendruar edhe te lëvizjet islame në Marok dhe marrëdhëniet e tyre me pushtetin monarkik.
Në karrierën profesionale, Siher ka bashkëpunuar si gazetar i pavarur me mediat italiane Il Fatto Quotidiano dhe Il Foglio. Në profilin e tij në LinkedIn, ai prezantohet gjithashtu si ekspert i inteligjencës artificiale për kompaninë amerikane Mercor.
Identifikimi i 30-vjeçarit ka sjellë reagime nga përfaqësues të qeverisë italiane. Ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, vlerësoi punën e forcave të policisë dhe deklaroi se shteti do të reagojë ndaj kujtdo që organizon akte dhune dhe trazira.
Edhe ministri i Mbrojtjes, Guido Crosetto, komentoi rastin, duke përgëzuar policinë për identifikimin e personit të dyshuar. Në deklaratën e tij, Crosetto vuri në dukje formimin akademik dhe përvojën profesionale të Siherit, duke kundërshtuar idenë se bëhet fjalë për një person të përjashtuar nga jeta publike.

