Ylli i njohur i YouTube dhe Netflix për fëmijë, Danny Go, ka ndarë me ndjekësit një nga momentet më të dhimbshme të jetës së tij. Daniel Coleman, i njohur nga miliona fëmijë në mbarë botën për videot dhe këngët edukative, ka bërë të ditur se djali i tij Isaac ka ndërruar jetë në moshën 14-vjeçare.

Lajmi tragjik u bë publik përmes një postimi emocional në Instagram, ku Daniel publikoi fotografi të të birit dhe shkroi se dhimbja që ndjen është shumë më e madhe sesa mund ta përshkruajë me fjalë. Ai tregoi se Isaac kishte kaluar shumë sfida gjatë jetës, por kishte ruajtur gjithmonë forcën dhe buzëqeshjen e tij.

Isaac vuante nga anemia Fanconi, një çrregullim i rrallë gjenetik që ndikon në aftësinë e trupit për të riparuar ADN-në dhe që më vonë çoi në diagnostikimin e një kanceri agresiv në gojë. Sipas mediave amerikane, gjendja e tij ishte përkeqësuar muajt e fundit, ndërsa familja kishte bërë përpjekje intensive për trajtim.

Në muajin dhjetor, Daniel kishte njoftuar ndjekësit për diagnozën e rëndë të djalit të tij, duke treguar se operacioni nuk kishte arritur ta ndalte përhapjen e sëmundjes. Muajin e kaluar, Isaac ishte transferuar në hospice për kujdes paliativ.

Pas lajmit të dhimbshëm, mijëra ndjekës dhe figura të njohura të botës së fëmijëve në internet kanë reaguar me mesazhe mbështetjeje për familjen Coleman. Mes tyre ishte edhe ylli i njohur për fëmijë Ms Rachel, e cila u kërkoi ndjekësve të saj të luten dhe të dërgojnë dashuri për familjen.