Propofoli, një anestetik i fuqishëm që përdoret për anestezi të përgjithshme dhe vepron me shpejtësi, dyshohet se është shkaku i vdekjes së këngëtarit të njohur grek George Mazonakis. Ky është përfundimi i ekspertizës 30-faqëshe të Laboratorit të Mjekësisë Ligjore dhe Toksikologjisë në Universitetin Aristotel të Selanikut, sipas burimeve të cituara nga media greke Protothema.
Në trupin e këngëtarit janë identifikuar gjithsej nëntë substanca, ku përveç propofolit janë gjetur edhe tetë të tjera, të cilat, sipas raportit kanë kontribuar në përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore dhe në vdekjen e parakohshme.
Mostrat biologjike të marra nga trupi i këngëtarit ishin dërguar në laboratorin e Universitetit Aristotel në fillim të muajit tetor. Profesori Nikolaos Raikos dhe ekipi i tij kryen një sërë analizash për të identifikuar të gjitha substancat e pranishme dhe për të përcaktuar sasitë e tyre. Raporti pritet t’i përcillet gjatë ditës Shërbimit të Mjekësisë Ligjore në Athinë.
Sipas informacioneve të publikuara nga Protothema, një prej detajeve më shqetësuese lidhet me momentin kur këngëtarit iu administrua propofoli si anestetik gjatë një procedure plazmafereze. Gjatë ndërhyrjes, ai pësoi një episod apneje, pra ndërprerje të frymëmarrjes.
Burimet e cituara nga media greke bëjnë të ditur se, nëse në klinikë do të kishte pasur oksigjen në dispozicion, këngëtari me shumë gjasë mund të ishte shpëtuar.
Ekspertiza përfshin gjithashtu referenca nga literatura shkencore për raste të ngjashme, duke analizuar mënyrën se si propofoli dhe tetë substancat e tjera kanë vepruar në organizmin e këngëtarit, përfshirë efektin e tyre në kombinim.
Raporti i laboratorit të Selanikut, së bashku me gjetjet e Shërbimit të Mjekësisë Ligjore në Athinë, do t’i dërgohet gjyqtarit hetues që po shqyrton çështjen e vdekjes së këngëtarit.
George Mazonakis ndërroi jetë më 9 shtator, në moshën 54-vjeçare, pasi pësoi arrest kardiak gjatë një procedure plazmafereze në një klinikë në rrugën Karneadou, në zonën e Kolonakit. Klinika drejtohej nga Ioanna Gaka dhe bashkëshorti i saj, Ilias Theodoropoulos, të cilët, sipas raportimit, janë lënë në paraburgim.
Vdekja e këngëtarit u konfirmua në spitalin Elpis, ku ai u transportua pasditen e 9 shtatorit.
Ndërkohë, hetimet kanë nxjerrë në pah edhe dyshime për gabime mjekësore dhe tentativa të pretenduara për të fshehur rrethanat e ngjarjes në klinikë.
