Një dokumentar i ri i transmetuar në Channel 4 me titull “Hitler’s DNA: Blueprint of a Dictator” ka sjellë në dritë zbulime të reja befasuese për diktatorin nazist Adolf Hitler.

Sipas analizave të ADN-së, ekspertët besojnë se ai mund të ketë vuajtur nga sindroma Kallmann, një çrregullim gjenetik që pengon zhvillimin normal të pubertetit dhe mund të shkaktojë probleme seksuale dhe hormonale.

Profesoresha e njohur e gjenetikës, Turi King, e cila më parë identifikoi eshtrat e mbretit Richard III, shpjegon se ekziston rreth një mundësi në dhjetë që Hitleri të ketë pasur mikropenis dhe ndoshta një testikul të pazbritur, diçka që përmendej edhe në këngët satirike të Luftës së Dytë Botërore.

Mostrat e ADN-së janë marrë nga një copë pëlhure me gjak, e prerë nga divani ku Hitleri vrau veten në vitin 1945.

Analizat gjenetike hodhën poshtë edhe pretendimet e vjetra se ai kishte prejardhje hebraike, duke treguar se nuk kishte asnjë lidhje gjenetike me hebrenjtë.

Sipas historianit Alex J. Kay nga Universiteti i Potsdamit, këto probleme fizike dhe psikologjike mund të kenë ndikuar ndjeshëm në jetën e tij personale, përfshirë mungesën e marrëdhënieve intime dhe obsesionin ekstrem me pushtetin dhe politikën.

Dokumentari eksploron gjithashtu mundësinë që Hitleri të ketë pasur çrregullime neurodivergjente si autizëm apo bipolaritet, megjithëse pa prova të pakundërshtueshme.

Eksperti i neuroshkencës Simon Baron-Cohen thekson se ky zbulim duhet trajtuar me kujdes, duke paralajmëruar se “sjellja nuk është kurrë 100% gjenetike” dhe se diagnoza të tilla nuk duhet të përdoren për të stigmatizuar njerëzit me çrregullime të ngjashme.