Gjatë gërmimeve në një varr të Epokës së Gurit në Gjermani, arkeologët kanë zbuluar një tunel misterioz nëntokësor që mendohet se është ndërtuar në Mesjetë, mijëra vite pas krijimit të varrit. Zbulimi u bë pranë fshatit Dornberg, në landin Saksoni-Anhalt, gjatë një studimi paraprak përpara një projekti ndërtimi. Fillimisht u identifikua një hendek trapezoidal i mijëvjeçarit të katërt para erës sonë, disa varre neolitike të mijëvjeçarit të tretë p.e.s. dhe një tumë e Epokës së Bronzit nga mijëvjeçari i dytë p.e.s.

Megjithatë, gjatë punimeve, arkeologët hasën një gropë të zgjatur ovale dhe një pllakë të madhe guri. Gropa, rreth 2 metra e gjatë dhe 0.75 metra e gjerë, ndërpriste hendekun neolitik në kënd të drejtë. Ajo vijonte më tej, duke u shndërruar në një sistem tunelesh të njohur në gjermanisht si erdstall, që do të thotë tunel nëntokësor.

Sipas ekspertëve, këto sisteme nëntokësore janë zbuluar në disa zona të Gjermanisë dhe mendohet se janë ndërtuar gjatë Mesjetës. Ato nuk konsiderohen si hapësira banimi, ndërsa teoritë mbi përdorimin e tyre variojnë nga vende fshehjeje deri te hapësira për aktivitete rituale.

Në tunelin e sapozbuluar u gjetën një patkua metalike, skeleti i një dhelpre, fragmente qeramike të vonë mesjetare dhe shtresa qymyri në një nga kalimet e ngushta. Hyrja ishte mbyllur qëllimisht me gurë të mëdhenj, çka sugjeron përpjekje për të fshehur aktivitetin brenda tij.

Arkeologët shtrojnë pyetjen nëse zona, për shkak të rëndësisë së saj si vendvarrim pagan, është konsideruar e shenjtë edhe në Mesjetë. Një tjetër hipotezë është se vendndodhja, e shmangur nga popullsia lokale për shkak të reputacionit të saj, mund të ketë shërbyer si vend i përshtatshëm për aktivitete të fshehta.