Një zbulim i rastësishëm nga një nxënës 13-vjeçar në periferi të Berlinit ka vënë në lëvizje komunitetin arkeologjik evropian, pasi një monedhë e gjetur në një fushë është identifikuar si një artefakt i Greqisë së lashtë por pa asnjë shpjegim të qartë se si ka përfunduar atje.

Sipas raportimeve të Smithsonian Magazine, objekti i vogël metalik u gjet në një zonë që më herët ka qenë e njohur për gërmime arkeologjike midis viteve 1950 dhe 1970. Fillimisht, monedha u cilësua si një gjetje e zakonshme e epokës së Hekurit, periudhë që në atë rajon daton nga rreth 800 deri në 450 p.e.s.

Por kur u dërgua për analizë më të thelluar, specialistët u përballën me një surprizë të madhe: objekti rezultoi të ishte një monedhë e rrallë e prerë në periudhën 281-261 p.e.s., me origjinë nga bota e lashtë greke, konkretisht e lidhur me rajonin e Trojës.

Në njërën anë të saj paraqitet figura e perëndeshës Athina, me helmetë korintike, ndërsa në anën tjetër shfaqet e njëjta hyjni e armatosur me shtizë dhe vegël pune, elemente që përfaqësojnë luftën dhe mençurinë në mitologjinë greke.

Arkeologët e Berlinit pranojnë se gjetja ka qenë e pazakontë. Fillimisht u mendua madje se mund të ishte humbur nga ndonjë koleksionist modern, por vendi i zbulimit e ka përjashtuar këtë mundësi dhe ka shtuar edhe më shumë misterin.

Sipas ekspertëve lokalë, ekziston mundësia që monedha të ketë mbërritur në Evropën Veriore përmes migrimeve të hershme ose shkëmbimeve indirekte tregtare në periudha shumë më të vona, kur popullsitë gjermanike jetonin në rajon. Në disa raste të ngjashme historike, objekte të tilla janë përdorur si sende simbolike ose janë vendosur në varre si oferta funerale. Megjithatë, asnjë nga këto hipoteza nuk shpjegon qartë rrugëtimin e saj nga bota e lashtë greke deri në një fushë në Berlinin modern.