Për herë të parë, shkencëtarët kanë arritur t’i nxisin qelizat e zemrës së njeriut që të rigjenerohen, një përparim që mund të ndryshojë përgjithmonë mënyrën e trajtimit të sëmundjeve të zemrës. Pas lindjes, gjeni që prodhon qeliza të reja të muskujve të zemrës fiket, duke e bërë organin të paaftë të riparohet vetë. Por studiuesit nga Shkolla e Mjekësisë Icahn në Mount Sinai, New York, kanë treguar se injektimi i këtij gjeni në zemrat e dëmtuara të dhuruesve njerëzorë në moshë të mesme mund të rindezë procesin e rigjenerimit të qelizave.

Në vitin 2014, ekipi kishte provuar me sukses këtë teknikë te derrat, por ky është rasti i parë që metoda funksionon edhe me zemra njerëzore. “Sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjeve në botë dhe qelizat e muskujve të zemrës te njerëzit ndalojnë së ndari që pas lindjes. Puna jonë tregon se edhe zemrat njerëzore të rritura mund të shtyhen të krijojnë qeliza të reja funksionale”, shpjegon Hina Chaudhry, drejtoreshë e mjekësisë rigjenerative kardiovaskulare në Mount Sinai.

Gjeni i përdorur quhet Cyclin A2 (CCNA2), ai luan një rol kyç në ndarjen qelizore gjatë zhvillimit të fetusit, por pushon së vepruari pas lindjes. Studiuesit e futën këtë gjen në një virus të padëmshëm dhe e injektuan në qeliza zemre të marra nga dhurues të moshës 41 dhe 55 vjeç.