Një ish-oficer policie dëshmoi se reperi, i plagosur rëndë pas sulmit të vitit 1996, përsëriti disa herë frazën “Jo, do të merremi ne me këtë”, ndërsa refuzoi të identifikonte autorët. Detaje të reja mbi momentet e fundit të Tupac Shakur janë bërë publike gjatë gjyqit për vrasjen e reperit të famshëm amerikan, gati 30 vjet pas atentatit që i mori jetën.

Ish-oficeri i Policisë Metropolitane të Las Vegasit, Garry Dale, u tha jurisë se ndodhej në ambulancën që transportonte Tupac drejt spitalit pas të shtënave të 7 shtatorit 1996. Sipas dëshmisë së tij, ai u përpoq disa herë ta bindte reperin që të tregonte se kush kishte qëlluar ndaj tij. Tupac, megjithëse ishte i plagosur rëndë, nuk pranoi të jepte një emër.

Dale deklaroi se reperi përsëriti disa herë frazën: “Jo, do të merremi ne me këtë”, përpara se të mos ishte më në gjendje të vazhdonte bisedën. Tupac Shakur, atëherë 25 vjeç, u qëllua me armë zjarri teksa ndodhej në një automjet me drejtuesin e Death Row Records, Marion “Suge” Knight. Ky i fundit u plagos, por mbijetoi. Tupac ndërroi jetë gjashtë ditë më vonë.

Gjatë gjyqit u paraqitën gjithashtu detaje nga autopsia. Mjekja ligjore Lisa Gavin dëshmoi se një nga plumbat kishte hyrë pranë sqetullës së djathtë të reperit, kishte dëmtuar rëndë mushkërinë dhe kishte depërtuar në kraharor. Një tjetër plumb e kishte goditur në kofshë dhe kishte dëmtuar zorrët. Sipas ekspertizës mjeko-ligjore, Tupac humbi jetën si pasojë e plagëve me armë zjarri në kraharor dhe abdomen.

Në bankën e të akuzuarve ndodhet Duane Keith “Keffe D” Davis, i vetmi person i akuzuar deri tani për vrasjen e reperit. Ai u padit në shtator 2023 dhe ka deklaruar se është i pafajshëm. Prokurorët pretendojnë se Davis, i lidhur me bandën South Side Crips, ndihmoi në organizimin e atentatit si hakmarrje për një përleshje që kishte ndodhur më herët gjatë asaj nate. Sipas akuzës, ai siguroi armën e përdorur në sulm, por nuk akuzohet se ka qëlluar personalisht ndaj Tupac. Nëse shpallet fajtor, Davis mund të përballet me burgim të përjetshëm.