Pas ndarjes nga Gerard Piqué, Shakira duket se mund të ketë një arsye të re për të buzëqeshur. Prej disa ditësh, emri i këngëtares kolumbiane po lidhet me atë të ish-basketbollistit Serge Ibaka, ndërsa thashethemet për një romancë të mundshme mes tyre po bëhen gjithnjë e më të forta.
Lajmi u bë fillimisht publik nga gazetari i njohur i kronikës rozë, Jordi Martín, në emisionin El Gordo y la Flaca të rrjetit amerikan Univision. Sipas tij, Shakira mund të ketë një admirues të ri dhe bëhet fjalë pikërisht për Ibakën, 37 vjeç, i cili ka luajtur për disa skuadra të njohura të NBA-së.
Megjithatë, duket se mes tyre nuk ka ende asgjë të konfirmuar. Sipas gazetës spanjolle La Razón, duke iu referuar gazetarit Aurelio Manzanero, burime pranë këngëtares kanë pranuar se dyshja ka dalë disa herë së bashku, por këmbëngulin se bëhet fjalë vetëm për një miqësi.
Ajo që ka shtuar dyshimet janë disa lëvizje të tyre të fundit. Ibaka thuhet se ka qenë i pranishëm në disa prej koncerteve të Shakirës në Madrid, ndërsa, sipas Jordi Martín, të dy kanë udhëtuar edhe me avion privat. Një prej destinacioneve të përfolura ka qenë Parisi, gjatë Javës së Modës në kryeqytetin francez.
Por gazetari ka ndarë edhe disa detaje të tjera që kanë tërhequr vëmendjen. Ai pretendon se ka kontaktuar persona nga rrethi i afërt i këngëtares, të cilët i kanë lënë të kuptojë se Shakira duket e emocionuar, megjithëse nuk kanë zbuluar identitetin e personit që mund t’i ketë rrëmbyer zemrën.
Më tej, Martín ka treguar se një person tjetër, me të cilin kishte kontakte të përbashkëta në Instagram, i kishte konfirmuar se kishte dëgjuar personalisht për këtë histori. Megjithatë, edhe vetë gazetari pranon se është ende herët për ta cilësuar Ibakën si të dashurin e këngëtares.
Serge Ibaka nuk është një emër i panjohur as në sport, as në jetën sentimentale. Basketbollisti me origjinë nga Republika Demokratike e Kongos dhe shtetësi spanjolle ka luajtur për skuadra si Oklahoma City Thunder, Orlando Magic, Toronto Raptors, Los Angeles Clippers dhe Milwaukee Bucks. Me Toronto Raptors, ai fitoi titullin e NBA-së në vitin 2019. Në të kaluarën, emri i tij është lidhur edhe me modelen franceze Cindy Bruna dhe këngëtaren amerikane Keri Hilson.
Për Shakirën, kjo është një tjetër histori që vjen pas ndarjes së bujshme nga Gerard Piqué, me të cilin ka dy fëmijë. Deri më tani, as këngëtarja dhe as ish-basketbollisti nuk kanë konfirmuar publikisht një lidhje mes tyre.

