Një ekspert mbretëror ka zbuluar detaje të reja mbi marrëdhënien e gjatë dhe të qëndrueshme mes Mbretëreshës së ndjerë, Elizabeth II, dhe bashkëshortit të saj, Princit Philip, duke i përshkruar ata si një “duo të pandashëm” që formësuan monarkinë moderne britanike.
Sipas ekspertit Gyles Brandreth, i cili foli në podcast-in “A Right Royal Podcast”, martesa e tyre prej më shumë se shtatë dekadash ishte një shembull i rrallë stabiliteti dhe bashkëjetese në historinë mbretërore.
Është e jashtëzakonshme të jetosh kaq gjatë me të njëjtin person dhe të vazhdosh të kesh një marrëdhënie kaq të mirë. Ata ishin një ‘double act’ i pabesueshëm
-u shpreh ai.
Brandreth theksoi se çifti mbretëror arriti të përshtatej me ndryshimet e kohës, duke përfshirë edhe transformimet brenda familjes mbretërore, si divorci i Princit Charles nga Princesha Diana dhe më vonë martesa e tij me Camilla-n.

Sipas tij, edhe pse familja mbretërore u përball me skandale dhe ndryshime të mëdha, Mbretëresha Elizabeth II dhe Princi Philip i pranuan këto zhvillime dhe arritën të ruanin unitetin familjar.
Camilla u pranua nga familja dhe u bë pjesë e saj. Këto ndryshime u integruan në mënyrë të natyrshme
-shtoi eksperti.
Pas vdekjes së Princit Philip në vitin 2021, në moshën 99-vjeçare, mbretëresha u shfaq e vetme në ceremoninë e lamtumirës së tij për shkak të kufizimeve të pandemisë, një moment që u konsiderua simbolik për lidhjen e tyre të gjatë dhe të fortë.
Ndërkohë, familja mbretërore po përgatitet të nderojë kujtimin e Mbretëreshës Elizabeth II në 100-vjetorin e lindjes së saj, më 21 prill, me një sërë aktivitetesh zyrtare në Mbretërinë e Bashkuar. Sipas ekspertëve, trashëgimia e çiftit Elizabeth–Philip mbetet një nga themelet më të forta të monarkisë moderne britanike.
