Shkaku zyrtar i vdekjes së aktorit të njohur Eric Dane është bërë publik. Sipas certifikatës së vdekjes, aktori i njohur për rolin e tij si “Dr. Mark Sloan” në Grey’s Anatomy ka ndërruar jetë si pasojë e dështimit respirator, ndërsa shkaku themelor është skleroza laterale amiotrofike (ALS), një sëmundje progresive e sistemit nervor që prek qelizat nervore në tru dhe palcën kurrizore, duke çuar në humbjen e kontrollit të muskujve.

Eric Dane ka ndërruar jetë më 19 shkurt, në moshën 53 vjeçare, vetëm 10 muaj pas diagnozës së tij me ALS. Familja e tij ka konfirmuar lajmin në një reagim për media, duke theksuar se aktori kishte luftuar me guxim kundër sëmundjes dhe ishte bërë një zë i fuqishëm për ndërgjegjësimin dhe kërkimet shkencore mbi ALS.

Gjatë periudhës së sëmundjes, Eric Dane kishte folur hapur për gjendjen e tij shëndetësore. Në një intervistë të vitit 2025, ai kishte treguar se simptomat e para kishin përfshirë dobësinë në dorën e djathtë, të cilën fillimisht e kishte neglizhuar. Me përkeqësimin e gjendjes, aktori u pa në publik duke përdorur një karrige me rrota. Edhe pse vazhdoi të punonte për një kohë, ai më pas u detyrua të tërhiqej nga disa angazhime për shkak të komplikimeve që shkaktoi ALS.

Në momentin e ndarjes nga jeta, Dane ishte ende i martuar me bashkëshorten e tij, Rebecca Gayheart, me të cilën kishte dy vajza. Çifti ishte ndarë prej disa vitesh, por kishin anuluar zyrtarisht divorcin në mars 2025.