Pas muajsh tensionesh dhe përplasjeje ligjore që morën vëmendjen e mediave ndërkombëtare, çështja mes aktorëve të filmit “It Ends With Us” dhe kompanive të produksionit është mbyllur me një marrëveshje jashtë gjykatës.
Lajmi u konfirmua vetëm pak ditë para nisjes së procesit gjyqësor në New York, ndërsa përfaqësuesit ligjorë të palëve deklaruan se konflikti ka marrë fund pa vazhduar më tej në sallën e gjyqit.
Avokati i Justin Baldoni, Bryan Freedman, tha për “Extra” se klienti i tij dhe producenti Jamie Heath janë “shumë të kënaqur” me mënyrën se si u zgjidh çështja.
Sipas tij, në fazën finale situata ligjore kishte ndryshuar ndjeshëm, pasi disa prej akuzave ishin rrëzuar dhe disa persona nuk ishin më pjesë aktive e procesit.
Kur arritëm në fund, nuk bëhej më fjalë për një konflikt të gjerë, por për një çështje më të kufizuar mes Blake Lively dhe disa subjekteve të produksionit
-u shpreh Freedman.
Nga ana tjetër, palët publikuan edhe një deklaratë të përbashkët, ku theksuan se mbeten krenarë për filmin dhe mbështesin ambiente pune profesionale, pa sjellje të papërshtatshme.
Drama nisi në fund të vitit 2024, kur Lively ngriti akuza për ngacmim seksual dhe një fushatë për dëmtimin e imazhit të saj publik. Baldoni i mohoi kategorikisht pretendimet dhe reagoi me një kundërpadi të madhe, e cila më vonë u rrëzua pjesërisht nga gjykata.
Edhe pse çështja tashmë është mbyllur, mënyra e papritur se si përfundoi ka rikthyer sërish vëmendjen mbi një nga konfliktet më të përfolura të Hollywood-it në muajt e fundit.
